StatPress

Visits today: 100

Më të fundit nga T Sh

Prof. as. dr. Mark Vuji: Akademia e shkencave të edukimit (5)

Ju pëlqejnë artikujt e publikuar tek Kosova tek AlbEmigrant? Regjistrohu tek KosovA tek AlbEmigrant me Email

KAPITULLI I TETËMBËDHJETË

VETËVLERËSIMI NGA NXËNËSIT NË KOHËN E DUHUR TË SHKAQEVE QË ÇOJNË NË KONFLIKTE TË PADËSHIRUESHME, I NDIHMON ATA QË TË PARANDALOJNË MË SHPEJT PASOJAT E TYRE NEGATIVE 

Vetëvlerësimi nga nxënësit i mjeteve dhe rrugëve që përdorin për të parandaluar shkaqet, që i çojnë në konflikt me njëri- tjetrin, i ndihmon ata për të gjetur zgjidhje më të qëndrueshme për normalizimin e gjendjes. 

Shënim paraprak

Konfliktet janë të njohur që në antikitet. Shkrimtarët e atyre kohrave na përcollën, me dramat e tyre të famshme, ndeshjet në mes të individëve dhe të forcave shoqërore të të gjitha niveleve.

Pra, konfliktet janë pjesë e jetës dhe jo të gjitha janë të dëmshme. Shumë zgjidhje konfliktesh me vlera të përmasave të mëdha shoqërore kanë qenë rezultat edhe i ndeshjeve të mendimeve të kundërta, domethënë konflikte intelektuale, që lidhen me diversitetin e ideve, që prodhojnë zgjidhje pozitive nga më të ndryshme.

Konflikti klasik në mes të përfaqësuesve të shkencës dhe të absurditetit të disa njerëzve me pushtet, del qartë te Apologjia e Sokratit. Zgjidhja e këtyre konflikteve ka ndihmuar për të çuar përpara njerëzimin.

Ne, tani në shkollë, po i nxisim vetë konfliktet intelektuale. Futja e metodave aktive, kritike e krijuese në mësim, bëri të mundur që të forcohet konflikti intelektual.

Sot nxënësit, nëpërmjet konfliktit intelektual mësimor, kanë arritur të zgjidhin situata problemore të atij niveli, që përpara disa dekadash dukeshin të pamundura, për të mos thënë “fantazi didaktike”.

Ne do të ndalemi për të parë se sa vetëvlerësimi i qëndrimit ndaj ngjarjeve konfliktuale të padëshirueshme, i ndihmon nxënësit për të kuptuar zhvillimin e tyre edhe për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe të pranueshme prej palëve në konflikt.

Vetëvlerësimi pasqyron luftën që bëhet në botën e brendshme të individit, në rastin tonë të nxënësit, për të mënjanuar efektet negative që shkaktojnë konfliktet e niveleve të ndryshme. Në këtë betejë mendimesh të kundërta, ngritjesh e uljesh të tensionit që krijohet nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, nxënësit përpiqen për të gjetur një rrugëzgjidhje të kënaqshme.

Në librin “Një udhëzues mbi disiplinën pozitive”, faqe 90, thuhet: “Ne bëjmë vlerësimin e aftësive, për të cilat mendojmë se kemi nevojë për t’u marrë me problemin, duke kryer një lloj hulumtimi subkoshient të brendshëm. Në këtë hulumtim, ne kushtëzohemi nga përvoja jonë e suksesshme ose e dështuar në konflikte të tjera, nga kërkesat që ne kemi për të arritur një rezultat dhe shpresa jonë për të patur një rezultat të mirë në një moment të caktuar. Të gjithë këta faktorë personalë, formojnë së bashku kuadrin për marrjen e një vendimi. Ky kuadër na udhëheq në ato veprime që marrim, kur përballemi me një konflikt.”

Mësuesi, si forca psikologjike më e specializuar, mund të zbulojë deri në një farë mase ç’mund të ziejë në shpirtin e nxënësve në momente të caktuara, që krijojnë konflikte. Sa më thellë të futet mësuesi në botën e brendshme të nxënësve, sa më shumë të informohet për nivelin e krizave, aq më mirë ai do të ushtrojë ndikimin e tij mbi shpirtin e tyre të lënduar nga goditjet e pamëshirshme konfliktuale.

Mësuesi është e domosdoshme që të kuptojë pozicionin e tij delikat, sepse shpesh i duhet të hyjë në mes dy nxënësve të tij. Ai kërkohet të jetë shumë i kujdesshëm kur jep këshilla e bën propozime. Populli thotë: “Fëmija, ku ka sytë, ka shpirtin!” Në këtë rast, secili nga palët në konflikt pret gjykimin e tij. Çdo gabim i mësuesit në vlerësimin e çështjes së tyre, është me pasoja të rënda.

Do të ishte gabim të themi se konfliktet që shpërthejnë në shkolla, përfshijnë vetëm nxënësit. Jo, ato prekin edhe punonjësit që merren me edukimin e tyre.

Konfliktet që shpërthejnë në mes aktorëve të tjerë që veprojnë në shkollë, nuk kalojnë pa ndikuar tek nxënësit, siç mund të jenë konfliktet në mes prindërve e mësuesve dhe të personave të tjerë që punojnë me ta.

Në studimin e Mira Peshkatarit jepen llojet e konfliketeve që ndodhin në shkollë. Ajo veçon:

-Konflikti mësues – drejtues;

-Konflikti nxënës – nxënës;

-Konflikti mësues – prindër;

-Konflikti mësues – mësues;

-Konflikti mësues – nxënës;

-Konflikti fëmijë – prindër;

-Konflikti ndërmjet drejtuesve.

(Ndërmjetësimi i konflikteve në grupmoshat shkollore. Faqe 36).

Të gjithë këta aktorë dhe të tjerë, që përfshihen në konflikte për motive të ndryshme, ndikojnë për keq në jetën e nxënësve. Ne mendojmë se sikur të gjithë aktorët e tjerë të vetëvlerësojnë ndershmërisht qëndrimin e tyre ndaj ngjarjes që i ka çuar në konflikt, do të gjenin më me lehtësi rrugën drejt zgjidhjes. Ne, më shumë do të ndalemi tek konfliktet e nxënësve me mësuesit e prindërit dhe në mes të njëri-tjetrit, që sot janë më problem në jetën e familjes dhe të shkollës.

Për t’u bërë vetëvlerësues të aftë të qëndrimit ndaj konflikteve, ka shumë rëndësi që të kapërcejmë konceptimin tradicional mbi konfliktet, që i shikon ato vetëm si produkt i ngatërrestarëve. Mira Peshkatari, po aty, na jep pikëpamjet bashkëkohore për konfliktet. Ajo thotë: “Konflikti është i pashmangshëm në marrëdhëniet njerëzore; konflikti shpesh ka vlera dhe sjell përfitime. Konflikti është rezultat i natyrshëm i ndryshimit.

Konflikti mund të menaxhohet.” (Po aty, në librin që cituam më lart).

Mësuesi i sotëm duhet të punojë me kujdes të madh që të formojë nxënës me shpirt tolerant, që i thërrasin arsyes dhe pranojnë dialogun “Toleranca, – siç thotë Butros Ghali, - është konsideruar si infrastruktura më e përshtatshme drejt dialogut e mirëkuptimit”.

Edhe studiuesit tanë e kanë theksuar me forcë se për menjanimin e konflikteve si dhe për zgjidhjen e tyre kur ndodhin, mjeti më i mirë për të siguruar falje të qëndrueshme është toleranca. Është e vërtetë se edukimi i saj nuk është i lehtë, sepse fëmija rrethohet me shumë koncepte antitolerancë, që bëhen shkak për shpërthim konfliktesh.

Në librin e tij “Toleranca dhe edukimi i saj”, fq. 13, thotë Prof. As. Dr. Qazim Dushku: “Sa më shumë, më mirë, në mënyrë të organizur dhe të kualifikuar të punohet për kultivimin e tolerancës tek njerëzit, aq më civilë do të bëhen ata, aq më e qytetëruar do të bëhet shoqëria shqiptare dhe aq më shpejt do të bëhemi pjesë e Evropës së Bashkuar”.

Ne, duke futur në proçesin mësimor metodat aktive, kritike e krijuese, që, kur organizohen me nivel të lartë shkencor, kthehen në konflikte intelektuale të fuqishme me përfitim të madh për çdo nxënës. Ato mund të kthehen edhe në konflikte të këqija po qe se mësuesi nuk i del të keqes përpara, nuk i edukon nxënësit me etiken didaktike që ata të kuptojnë se në këtë rast luftohet për të përvetësuar më në thellësi dijet dhe jo për të ulur vlerat e njëri-tjetrit.

Qëndrimi ndaj konfliktit, shpesh shikohet i prerë: “TË LUFTOJMË… apo TË DORËZOHEMI!”, dmth ndeshje të fortë mes dy personash ose dy grupesh rivale.

Në studimin e Prof. As. Arta Mandro, jepet përcaktimi i Tomas e Kilman, që e zgjeron konceptin e qëndrimit ndaj konfliktit. Aty dalin pesë karakteristika:

1. Bërja e një gare. Qëndrimi luftarak ose konkurrues.

2. Përshtatshmëria ndaj konfliktit.

3. Shmangia e konfliktit.

4. Bashkëpunimi për të gjetur zgjidhje.

5. Kompromisi për të arritur zgjidhjen.

(“Ndërmjetësimi i konflikteve në grupmoshat shkollore”, faqe 11).

Qëndrimi ndaj konfliktit të palëve kundërshtare, në radhë të parë, është diçka që zien në mes të individëve. Po të analizojmë me kujdes situatat që krijohen, del se zgjidhjet varen nga vetëvlerësimi që i bën secili qëndrimit të tij dhe kur ky është i saktë e i ndershëm, ndikon fuqishëm për të gjetur një rrugëdalje të pranueshme për të gjithë.

Në këtë kapitull do të shikojmë disa probleme që lidhen me parandalimin e konflikteve të dëmshme.

1-Njohja e mësuesit me teknikat që i aftësojnë nxënësit si vetëvlerësues të qëndrimit të tyre ndaj zgjidhjes së konfliktit, në të cilin janë përfshirë.

2-Njohja e të gjithë aktorëve që veprojnë në shkollë me kulturën e vetëvlerësimit të qëndrimit të tyre ndaj zgjidhjes së konflikteve, është një kërkesë e kohës.

3-Përpjekja e mësuesve për të zbuluar në kohën e duhur shkaqet e lindjes së konflikteve, i ndihmon nxënësit që të vetëvlerësojnë më mirë dhe më shpejt qëndrimet e tyre ndaj një zgjidhje të mundshme.

4-Vetëvlerësimi pozitiv nga palët kundërshtare i qëndrimit të tyre ndaj zgjidhjes së konfliktit, është garancia kryesore për suksesin e zbatimit të vendimmarrjes.

5-Ndërmjetësit me kulturë të lartë komunikimi, ua lehtësojnë nxënësve punën për vetëvlerësimin e qëndrimit të tyre ndaj zgjidhjes së konfliktit.

6-Të dëgjuarit aktiv të shqetësimeve të nxënësve dhe studimi i mesazheve që vijnë nga vetëvlerësimi i situatës nga ana e tyre, e bëjnë komunikimin e mësuesit me ata më problemzgjidhës.

7-Menaxhimi i vetëvlerësimit të nxënësve që kanë zgjedhur stilin agresiv për të zgjidhur një konflikt, kërkon dije dhe durim.

8-Falja është produkt i vetëvlerësimit të drejtë, të ndershëm, që palët në konflikt, me ndihmën e ndërmjetësve i bëjnë qëndrimit të tyre për normalizimin e gjendjes.

9-Shkolla ka mundësi të shumta për parandalimin e shfaqjes së konflikteve në mjediset e saja.

18 – 1. DOMOSDOSHMËRIA E NJOHJES SË MËSUESIT ME TEKNIKAT QË I AFTËSOJNË NXËNËSIT SI VETËVLERËSUES TË QËNDRIMIT TË TYRE NDAJ ZGJIDHJES SË KONFLIKTIT, NË TË CILIN JANË PËRFSHIRË

Njohja e mësuesve me teknikat që i aftësojnë nxënësit si vetëvlerësues të qëndrimit të tyre ndaj konflikteve, në të cilët janë përfshirë, mund të bëhet dhe brenda shkolle, ku teoria e praktika merren në proçesin real të lindjes, zhvillimit dhe pajtimit të ndeshjes në mes të palëve në konflikt.

Ndodhi një konflikt serioz në një klasë të një gjimnazi. Dy nxënës, nga një zënkë e thjeshtë, kaluan shpejt në një konflikt, që mund të përfundonte keq. Mësuesja kujdestare veproi shpejt. Ajo u informua se njëri kishte sjellë një mjet vdekjeprurës për ta goditur shokun. Ajo e gjeti mënyrën për t’ia marrë atë. Pas njëfarë kohe, nxënësi atë e kërcënoi, duke i thënë: “Do të ma shohësh sherrin! Ti nuk më njeh mua.”

Mësuesja i përgjigjet: “Unë, pse të njoh se nuk je nga ata që kërkojnë të bëjnë gjak, të thashë ma jep mua atë mjet ogurzi dhe ti ma dhe. Besoj se nuk bëmë keq!”

“Po shokët e mi, – shtoi ai, – nuk mendojnë kështu….”

“Atëhere, -shtoi mësuesja, – gjyko vetë … se si vepruam unë dhe ti.”

Ajo, atë  mjetin, ia kishte dorëzuar babait të tij.

Nxënësi, të nesërmen kërkoi takim me mësuesen. Ai e kishte vetëvlerësuar qëndrimin e tij dhe të mësueses…

“Po, mësuese, -i tha ai, – ne të dy vepruam drejt, megjithëse disa shokë nuk e pëlqyen qendrimin tonë. Ata më thanë se zonjusha të ka çarmatosur, domethënë je turpëruar. Unë mendova se sikur të kishte ndërhyrë policia, do të më kishte dënuar, sepse jam mbi 16 vjeç. Jam bindur se ti mësuese më do, sepse atë mjetin ia dhe babait dhe nuk më kallëzove në polici.”

Siç shihet, ky konflikt u bë shpejt me dy qendra. Nisi mes dy nxënësve dhe çoi në përplasjen e njërit prej tyre me mësuesen. Ky konflikt kompleks mund të çonte në ngjarje të jashtëzakonshme. U ndezën diskutime në mes të mësuesve. Kulmi qe tek pyetja: “A duhej mësuesja që të tentonte të çamatoste nxënësin?”

Ky qe një rast i pastër kur mësuesja përdori taktin, që nxiste nxënësin të vetëvlerësojë qëndrimin e tij ndaj zgjidhjes së konfliktit. Rrjedhat e ngjarjes morën drejtim pozitiv. Probleme si ky duhet të diskutohen në departamentet e lëndëve.

Pas këtij aktiviteti kualifikues, që u mbështet në këtë ngjarje reale, u kërkua që të gjithë të përgatisnin nga një punim për zgjidhjen krijuese të konflikteve që ndodhin përditë në shkollë. Diskutimet e mësuesve në mbledhje, tërhoqën vëmendjen e dëgjuesve dhe u cilësua si një simpozium i vogël shkencor. Në këto diskutime u përpunuan praktikisht të gjitha format e ndërmjetësimit për zgjidhjen e konflikteve në grupmoshat shkollore, ku doli qartë forca e vetëvlerësimit nga nxënësit e qëndrimit që mbajnë ata ndaj konflikteve dhe të zgjidhjes së tyre.

Aftësimi i mësuesit për të përgatitur nxënësit si vetëvlerësues të qëndrimit të tyre ndaj zgjidhjes së konflikteve, ka një vlerë të madhe për t’i ndihmuar ata që të përballojnë ndeshje të tilla në jetë.

18 – 2. NJOHJA E TË GJITHË AKTORËVE QË VEPROJNË NË SHKOLLË, ME KULTURËN E VETËVLERËSIMIT TË QËNDRIMIT TË TYRE NDAJ ZGJIDHJES SË KONFLIKTEVE, ËSHTË NJË KËRKESË E KOHËS

Është e dosmosdoshme që në shkollë të krijohet një mjedis, ku konfliktet në mes mësuesve me njëri-tjetrin, mes mësuesve e drejtuesve, mes prindërve dhe mësuesve, të rregullohen sipas kulturës së vetëvlerësimit. Secili duhet të aftësohet për të vetëvlerësuar qëndrimin e tij ndaj konflikteve, sepse fëmijët deri në moshën 18 vjeç, një pjesë të madhe të vlerave, normave dhe kufizimeve sociale, i mësojnë duke marrë si shembull sjelljen e forcave edukative, që veprojnë në shkollë.

Kur një drejtues shkolle bisedonte me një nxënës që kishte rënë në konflikt me një mësues për çështje të duhanit, ai, për t’u justifikuar për shkeljen e rregullores së shkollës, i tha atij: “Edhe mësues…. pin duhan. Kurse xhaxhi polici, që ruan shkollën, ua ndez cigaren dy nxënësve të klasës sime… Mësuesi mua më kritikoi rëndë. Edhe unë gabova se i fola keq, në vend që t’i kërkoja të falur.”

Për drejtuesin u çel një shteg, nëpër të cilin mund të hynte në zemrën e nxënësit. Ai e pyeti: “Ju, si u duken këto veprime?

Nxënësi uli kokën dhe, pasi mendoi pak, tha: “Edhe unë, edhe xhaxhi polici kemi vepruar keq, kurse mësuesi im kishte të drejtë. Do të shkoj t’i kërkoj falje.”

Ky ishte rezultat i një vetëvlerësimi të saktë.

Kur kultura e vetëvlerësimit të qëndrimit ndaj konflikteve bëhet pjesë e sistemit të punës të secilit që punon me nxënësit, në shkollë krijohet një mjedis paqësor, gjithnjë e më i qëndrueshëm.

18 – 3. PËRPJEKJA E MËSUESVE PËR TË ZBULUAR NË KOHËN E DUHUR SHKAQET E LINDJES SË KONFLIKTEVE, I NDIHMON NXËNËSIT QË TË VETËVLERËSOJNË MË MIRË DHE MË SHPEJT QËNDRIMIN E TYRE NDAJ NJË ZGJIDHJEJE TË MUNDSHME

Një konflikt, sado i thjeshtë që të jetë, ka fazat e tij të zhvillimit, që duhen njohur për të zbuluar mundësitë që na jep ai për të nxitur nxënësit që hap pas hapi të bëjnë vetëvlerësimin e qëndrimeve të tyre ndaj zgjidhjes së tij përfundimtare.

Për të pasur sukses, është e domosdoshme që nxënësve t’u jepen në orët e punës edukative disa elemente të kulturës së punës, që lidhen me zgjidhjen e konflikteve. Kjo i ndihmon ata për rritjen e cilësisë së vetëvlerësimit për rrugën që ka ndjekur për zgjidhjen e tyre. Njohja e procesit të lindjes dhe të zhvillimit të konflikteve, i shërben parandalimit të shpërthimit të tyre papritmas.

Në momentin e parë, kur tek individë të ndryshëm, shpërthimi i konfliktit shfaqet në potencë, ata që janë të pajisur me një kulturë të lartë vetëvlerësimi, përpiqen që të gjejnë mjetet që të mënjanojnë konfrontimin, sepse parashikojnë më me qartësi pasojat për të dy palët.

Kur të konfliktuarve u mungon kultura e vetëvlerësimit të veprimeve që kryejnë, ata, për zgjidhjen e problemit parapëlqejnë sjelljen agresive, sulmin. Këtu ndikon dhe sedra e sëmurë.

Personalizimi është një moment tjetër kur individi percepton ndjenjat që ngjall konflikti që, kur shfrytëzohet mirë, bën të mundur që individi të vetëvlerësojë më shpejt dhe më drejt pozicionin e tij.

Në pikat kulminante të zhvillimit të konflikteve, secili, sipas nivelit të tij kulturor, vetëvlerëson dhe krijon modelin mendor të zgjidhjes së konfliktit në të cilin është futur me sens pozitiv ose negativ.

Po qe se në shkollë është krijuar një opinion pozitiv për nevojën e gjetjes të zgjidhjes së pranueshme të konflikteve, atëhere edhe individët me vetëvlerësimin e qëndrimit të tyre, zakonisht do të përkrahin zgjidhjet pozitive.

Vetëvlerësimet e nxënësve për qëndrimin e tyre ndaj zgjidhjes së konflikteve, kur janë të sakta dhe pa hile, ndikojnë për mirë për menjanimin dhe shuarjen e tyre.

18 – 4.  VETËVLERËSIMI POZITIV NGA PALËT KUNDËRSHTARE I QËNDRIMIT TË TYRE NDAJ ZGJIDHJES SË KONFLIKTIT, ËSHTË GARANCIA KRYESORE PËR SUKSESIN E ZBATIMIT TË VENDMMARRJES

Vendimmarrja nuk duhet të jetë diçka e urdhëruar, qoftë edhe me takt. Ajo duhet të jetë rezultat i vetëvlerësimit të palëve në konflikt në çdo hap që bëhet për përgatitjen e saj. Vetëm kur veprohet kështu, ajo bëhet e qëndrueshme dhe e pranueshme nga të interesuarit dhe opinioni shoqëror.

Mësuesi është ndërmjetës kryesor që hedh alternativën, mbi të cilën mund të mbështetet pajtimi. Çdo palë duhet të ketë mundësi të njihet me të gjithë informacionin dhe t’i lihet koha për të gjykuar pra, për të realizuar vetëvlerësimin për qëndrimin që duhet të mbajë.

Vetëvlerësimi socialpsikologjik është më i vështirë se sa ai psikodidaktik, ku bëhet fjalë për një notë, kurse ndryshe qëndron puna kur diskutohet për probleme shoqërore, që mund të përfundojnë edhe në mënyrë të dhimbshme, ngandonjëherë me humbje jete, siç ndodhi në një dasëm kohët e fundit, ku 20 të rinj pjesëmarrës në këtë gëzim, për një çështje xhelozie, njëri humbi jetën dhe 10 u plagosen. Kuptohet, ata u përplasen me njëri-tjetrin pa menduar për pasojat.

Pra, vendimmarrja duhet të jetë produkt i vetëvlerësimit të ndershëm që i bëjnë palët qëndrimit të tyre ndaj një zgjidhje të arsyeshme.

Një shembull i shkëlqyer, që tregon se vendimmarrja duhet të mbështetet në vetëvlerësimin e qëndrimit të palëve ndaj konkluzioneve përmbyllëse të konfliktit, është “Modeli Yll” i zgjidhjes së konflikteve, që mbështetet kryesisht në vetëvlerësimin e qëndrimit që mban individi ndaj zgjidhjes. Këtë po e japim të plotë, siç është në librin “Një udhëzim për disiplinën pozitive”, faqe 97 dhe secili mund ta shfrytëzojë, sipas natyrës së konflikteve që shpërthejnë në shkollë.

“MODELI YLL I ZGJIDHJES SË PROBLEMIT”

Së pari, NDALO DHE KUPTO:

  • A kam unë ndonjë problem?
  • Cili është problemi im?
  • Çfarë ndikimi ka në trupin tim?
  • Çfarë ndjenjash po shfaq?
  • Çfarë ndjenjash po mbaj përbrenda?

Së dyti, MENDO DHE KOMUNIKO:

  • Çfarë dua që të ndodhë?
  • Kush janë njerëzit e tjerë / fëmijët e përfshirë në këtë situatë?
  • Çfarë kërkojnë ata të ndodhë?
  • Cilat janë faktet e kësaj situate?
  • Cilat janë përceptimet e mia dhe vlerat në këtë situatë?
  • A i kam vëzhguar, mbledhur dhe kujtuar unë të gjitha faktet?
  • A i kam shprehur qartë ndjenjat dhe mendimet e mia?
  • A i kanë shprehur të tjerët qartë ndjenjat dhe mendimet e tyre?
  • Cilat janë zgjidhjet e ndryshme dhe pasojat e tyre?
  • A janë pasojat të mira dhe a i respektojnë ato fëmijët?
  • A i kam konsultuar unë të tjerët që preken nga kjo zgjidhje?
  • Cila ishte zgjidhja më e mirë?

Së treti, VEPRO:

  • Zgjidh situatën më të mirë!
  • Vepro!
  • Prefero të tërhiqesh dhe të ndalosh dhe të provosh përsëri në rast se nuk ke gjetur zgjidhjen më të mirë.

Së katërti, RISHIKO:

  • Vëzhgo pasojat.
  • Në rast se nuk ka pasoja të kënaqshme, kthehu në hapin e parë.”

Modeli Yll u jep mundësi të konfliktuarve që gjatë përgatitjes për vendimmarrje, paralel me ndërmjetësit, të mbledhin informacionin e duhur dhe ta shqyrtojnë në prizmin e interesave të tyre dhe të përgatisin alternativa konkrete për realizimin e kompromisit.

Të gjitha këto krijojnë mundësi që nxënësit të mbajnë qëndrim pozitiv në momentin e vendimmarrjes.

Palët, kur veprohet kështu, vinë me alternativa të përafërta, por të menduara nga vetë ata. Tani ndërhyrjet e ndërmjetësve pranohen më me lehtësi, sepse arrihet barazimi i pushteteve.

Modeli Yll synon pikërisht që të vënë individin ose nxënësin në lëvizje që të kuptojë dhe, pasi të mendojë mirë problemet, të komunikojë e në momentin e duhur, të veprojë dhe në fund të rishikojë pasojat e po të mos jenë të kënaqshme, të rikthehet nga e para e të rishikojë problemet.

Po t’i hedhim një sy pyetjeve, pothuajse të gjitha e nxisin nxënësin për të arsyetuar, për të gjykuar, me një fjalë për të vetëvlerësuar qëndrimin dhe veprimet e tyre në se janë brenda parametrave të pranueshme nga palët.

Ky është një shembull bindës se si mund të vetënxiten nxënësit për të ndezur luftën brenda vetes, ku përpunohet vetëvlerësimi i qëndrimeve që duhet të mbajë secili ndaj përfundimit të vendimmarrjes. Po veçojmë disa prej tyre. “Cili është problemi im? Çfarë ndjenjash po shfaq? Çfarë ndjenjash po mbaj përbrenda? Çfarë dua të ndodhë? Cilat janë faktet e kësaj situate? Cilat janë perceptimet e mia dhe vlerat në këtë situatë? A i kam vëzhguar, mbledhur dhe kujtuar të gjitha faktet? A i kam shprehur qartë ndjenjat dhe mendimet e mia? etj.

Kjo analizë brenda vetes, përbën bazën e vetëvlerësimit të qëndrimit që mban secili ndaj veprimeve të tij dhe zgjidhjes së konfliktit.

Siç shihet në këtë rast, duken qartë vlerat e vetëvlerësimit që nxënësit duhet t’i bëjnë qëndrimit të tyre ndaj veprimeve që mund të kryejnë për të realizuar një vendimmarrje të qëndrueshme dhe të pranueshme për të gjithë.

 

18 – 5. NDËRMJETËSIT ME KULTURË TË LARTË KOMUNIKIMI, UA LEHTËSOJNË NXËNËSVE PUNËN PËR VETËVLERËSIMIN E QËNDRIMIT TË TYRE NDAJ ZGJIDHJES SË KONFLIKTIT

Komunikimi ka lidhje të drejtpërdrejtë me cilësinë e vetëvlerësimit të nxënësve të qëndrimit të tyre ndaj zgjidhjes së konfliktit. Kur ndërmjetësit janë të pakualifikuar, bëjnë pyetje, japin përgjigje e kundërpërgjigje të pakontrolluara dhe në vend që ta ulin, e ngrejnë tensionin, bile më shumë se ç’mund të parashikohej.

Një burrë i urtë po bisedonte me një grup të rinjsh, pasi foli për gjëra të ndryshme, u tha atyre: “Po të shau dikush, mos iu kundërpërgjigj menjëherë. Pyete: -Si the? Po i përsëriti po ato fjalë, atëhere gjeje një kundërpërgjigje që të jetë e arsyeshme, që ta bëjë edhe  atë të mendojë.” Një proverb popullor thotë: “Gurë, gurë bëhet kalaja, fjalë – fjalë bëhet belaja.” Fjala e pamatur e prish komunikimin. Në librin “Një udhëzim për disiplinën pozitive”, faqe 104, thuhet se duhet të mënjanojmë “Deklaratat që vrasin komunikimin” dhe më tej vazhdon: “Nuk ka ndonjë përgjigje ideale, por se duhet të mbajmë parasysh forcën e madhe që ka fjala e folur.”

Vetëvlerësimi i nxënësve ndaj qëndrimit që lidhet me konfliktin, nuk është si diskutimi që bëhet për zgjidhjen e një problemi në matematikë, por ai është i ngarkuar me shpërthime shpirtërore serioze pozitive ose negative reale, nga të cilat varet fati i zgjidhjes së konfliktit. Prandaj stilet e komunikimit u duhen mësuar nxënësve gjatë periudhës së qetë, si kërkesa për një të folur të kulturuar dhe me peshë të madhe domethënëse.

Sipas disa autorëve, ne duhet t’i njohim nxënësit me stilin agresiv (sulmues-goditës), me stilin pasiv (tërheqës, s’ka dëshirë që të ndeshet me të tjerët) dhe me stilin e vendosur, (kur personi shprehet në atë mënyrë që nuk i lëndon të tjerët), autorët thonë ky stil i fundit duhet të rrënjoset tek nxënësit, kur bëjnë vetëvlerësimin e qëndrimit të tyre ndaj zgjidhjes së një konflikti.

Ka shumë stile për të zgjidhur një situatë të caktuar. Secili ka dhe përvojën e tij për të realizuar suksesin e pritshëm.

Në momente krize, ne duhet të jemi të përgatitur për të përballuar reagimet agresive të nxënësve në konflikt dhe t’i stimulojmë ata që të zbatojnë stilin e vendosur, por të hapur, që nuk lëndon të tjerët.

Reagimet e nxënësve janë shumë të rëndësishme. Ne, ato duhet t’i deshifrojmë dhe t’i kuptojmë si mesazhet që vinë nga thellësitë e shpirtit të tyre. Ato janë busullë për mësuesin, që, siç e pamë më sipër, ai është gjithnjë në rolin e ndërmjetësit të kualifikuar.

18 – 6.  TË DËGJUARIT AKTIV TË SHQETËSIMEVE TË NXËNËSVE NË KONFLIKT DHE STUDIMI I MESAZHEVE QË VINË NGA VETËVLERËSIMI I SITUATËS NGA ANA E TYRE, E BËJNË KOMUNIKIMIN E MËSUESIT ME ATA, MË PROBLEMZGJIDHËS

Mësuesit, pas prindërve, janë njerëzit më të afërt për nxënësit, por edhe më të përgatitur shkencërisht për të hyrë në shpirtin e tyre, në botën e interesave dhe të nevojave që kanë, që dinë t’i çlirojnë nga shqetësimet, që i brejnë përbrenda dhe t’u krijojnë mundësi që të shohin vlerat e veprimeve që kryejnë, dmth i orientojnë se si të analizojnë situatat konkrete si bazë për të bërë një vetëvlerësim sa më të plotë të të gjithë veprimtarisë së tyre në kërkim të gjetjes së zgjidhjeve të konflikteve, ku janë përfshirë.

Mësuesi duhet të punojë për të fituar kredibilitet tek nxënësit. Këtë ai e arrin duke i dëgjuar ata në mënyrë aktive, që do të thotë të shoqërosh dëgjimin me rrahje mendimesh dhe me propozime konkrete për të gjetur zgjidhje për problemet shqetësuese. Këtu ka rëndësi që të krijohet ndjenja e besimit reciprok.

Ne, po atë kujdes që tregojmë kur bisedojmë me njerëz të rëndësishëm, me të cilët na lidh puna, duhet të dëgjojmë nxënësit, por edhe kjo nuk mjafton. Dëgjimi i shqetësimeve të tyre duhet të shoqërohet brenda mundësive me zgjidhje konkrete të problemeve.

Le të shikojmë si veprojnë mësuesit që janë mjeshtër të komunikimit problemzgjidhës me nxënësit.

 

                                         

KUJTESË PËR MËSUESIT

 

që punojnë për të realizuar një dëgjim aktiv të nxënësve dhe për të siguruar realizimin e kërkesave të mesazheve të tyre.

 

  1. Dëgjo me një objektiv të qartë.
  2. Krijo besimin tek nxënësit se kjo nuk është bisedë për të kaluar radhën.
  3. Mos moho as mos injoro mendimin dhe ndjenjat e palëve.
  4. Mos bëj sikur i ke kuptuar, kur në të vërtetë është e kundërta.
  5. Mbaje bisedën në qendër të problemit.
  6. Respekto konfidencialitetin, sikur të kemi të bëjë me të rriturit.
  7. Ofro për diskutim alternativa për zgjidhjen e konfliktit dhe mblidh mendimet e tyre për të gjetur alternativa të reja.
  8. Bashkëbisedimi të jetë i gjallë, një konflikt intelektual i vërtetë, që bën të mundur gjetjen e qëndrimit më të mirë ndaj problemit që studiohet.
  9. Nënvizo problemet me karakter parandalues.
  10. Gjithnjë mbani në qendër të vëmendjes tuaj rezultatin që prisni.

 

Shënim:Kjo kujtesë është adaptim i paragrafit “AFTËSI TË DËGJIMIT AKTIV”, që gjendet në librin “Një udhëzues mbi disiplinën pozitive”, faqe 99.

Përgjigjet e nxënësve, që janë mesazhe për mësuesin, duhet të studiohen dhe mundësisht të zbatohen që nxënësi të ndjejë se mendimet e tij nuk shkojnë kot. Përgjigjet e nxënësve na ndihmojnë për të gjykuar mbi forcën vetëvlerësuese që ata kanë për të analizuar veprimet e tyre.

 

18 – 7.   MENAXHIMI I VETËVLERËSIMIT TË NXËNËSVE QË KANË ZGJEDHUR STILIN AGRESIV PËR TË ZGJIDHUR NJË KONFLIKT, KËRKON DIJE E DURIM

Kur nxënësi ka zgjedhur agresivitetin për të dalë nga gjendja, mësuesi duhet të jetë shumë i përgatitur për të përballuar situatën dhe jo t’i lërë gjërat të zhvillohen spontanisht.

Profesionalizmi i tij në këtë rast kalon një provë të fortë, kur ai ia arrin të kapërcejë zënkën, që mund të kthehej edhe në një tragjedi, është me të vërtetë një sukses. Pra, mësuesi, që mbetet gjithnjë ndërmjetësi kryesor, i aftë që në çdo kohë të zgjidhë konfliktin edhe kur të dy palët janë përfshirë nga ndjenja agresive të forta.

`Për të menaxhuar me sukses sjelljet agresive, duhet që të kemi parasysh këto gjëra që rekomandohen në librin “Një udhëzim për disiplinën pozitive”, faqe 106, që po e japim të plotë në këtë kujtesë.

KUJTESË PËR MËSUESIT

që angazhohen në menaxhimin e konflikteve, që kanë marrë udhën e sjelljes agresive.

Ç’DUHET BËRË?

 

  • Prano faktin që një fëmijë është i rritur dhe tregoji se e kupton gjendjen e tij.
  • Dëgjoje me kujdes. Përpara se të ndërhyni, prisni derisa fëmija të shprehë zemërimin e tij.
  • Mbaj një qëndrim të hapur për çfarë nuk shkon dhe çfarë duhet bërë.
  • Ndihmoje fëmijën të zgjidhë situatën, kur e kupton se ka bërë gabim.
  • Kur ka mundësi, shko me fëmijën në një vend të veçuar.
  • Ulu e flit më me qetësi.
  • Ruaj një ton të qetë dhe fol me butësi.
  • Rezervo gjykimet për ato që kishte bërë dhe që nuk duhet të kishte bërë fëmija i inatosur.
  • Trego mirëkuptim për fëmijën, pa rënë domosdo dakort me të, sapo armiqësia e tij të jetë fashitur.
  • Pas ndodhisë, shpreh se çfarë ndjen dhe kërko që herën tjetër fëmija të mos sillet më ashtu.
  • Kërkoni ndihmë nga të tjerët, në rast se nuk jeni në gjendje të zgjidhni atë situatë.

 

Kjo proçedurë, zakonisht të çon drejt zgjidhjes së konfliktit, por çdo gjë varet nga cilësia e realizimit të këtyre kërkesave.

Menaxhimi i sjelljes agresive lehtësohet kur mësuesi i nxit nxënësit të vetëvlerësojnë hap pas hapi kthesat që bëjnë dhe i ndjek ato deri në fund. Kështu nxënësit, nëpërmjet të një vetëvlerësimit rigoroz të veprimtarive të tyre, mund të arrijnë të pranojnë një zgjidhje pozitive të konfliktit, pavarësisht nga shkalla e vështirësisë së tij. Nga mësuesi kërkohet dije dhe durim.

18 – 8.  FALJA ËSHTË PRODUKT I VETËVLERËSIMIT TË DREJTË DHE TË NDERSHËM QË PALËT NË KONFLIKT, ME NDIHMEN E NDËRMJETËSVE, I BËJNË QËNDRIMIT TË TYRE PËR NORMALIZIMIN E GJENDJES

Falja është momenti që pritet nga ndërmjetësit, që kanë marrë pjesë në zgjidhjen e konfliktit. Ajo bëhet më e qëndrueshme kur mbështetet në vetëvlerësimin që palët i bëjnë qëndrimit të tyre ndaj zgjidhjes së problemit.

Strategjitë për nxitjen e faljes janë të shumta. Ato ndryshojnë sipas natyrës së konfliktit. Çdo ndërmjetës ka dhe përvojën e tij.

Falja lidhet dhe me gjendjen afektive që lind tek individët në atmosferën që krijohet në momentin e faljes. “Në nivelin personal, së pari, është mirë të reflektohet mbi proçesin tuaj të faljes. Proçesi i faljes është thjeshtë fshirja e të gjitha kushteve në mendje, që bllokojnë rrjedhën e dashurisë dhe energjinë e jetës, pavarësisht nga sjellja e të tjerëve.” (Një udhëzim për disiplinën pozitive”, faqe 107).

Falja, sidomos për konfliktet e rënda, është rezultat i bashkëpunimit të të gjithë aktorëve që veprojnë në shkollë: mësues, nxënës, prindër, drejtues etj. Jeta dhe provat kanë treguar se bashkëpunimi është mjeti më i fuqishëm për të formuar bindje të qëndrueshme për ndryshimet e bëra. Shkolla ka mundësi të mëdha që të aplikojë mirëkuptimin, sidomos për konfliktet që ndodhin në mes të nxënësve dhe mësuesve dhe të nxënësve në mes tyre.

Falja nuk ka rëndësi vetëm se fuqizon zgjidhjen, por ajo krijon kushte që palët në konflikt t’i kthehen normalisht punës mësimore.

18 – 9. SHKOLLA KA MUNDËSI TË SHUMTA PËR PARANDALIMIN E SHFAQJES SË KONFLIKTEVE, NË MJEDISET E SAJA

Shkolla, si institucion i specializuar për punë edukative, ka përgatitjen e duhur shkencore pedagogjike për të parandaluar shfaqjen e konflikteve të çfarëdo natyre qofshin si dhe për të përballuar ato që mund të ngjasin në mes të aktorëve, që veprojnë brenda saj. Ajo jep ndihmë edhe për zgjidhjen e konflikteve që mund të ndodhin në familje e që ndikojnë negativisht në jetën e nxënësve dhe në mbarëvajtjen e tyre në shkollë.

Le të shohim disa nga këto mundësi, që kanë forcë problemzgjidhëse.

Së pari, udhëheqja pedagogjike e shkollës duhet të punojë për t’i aftësuar mësuesit si menaxhues të suksesshëm të konflikteve, në të cilat mund të përfshihen nxënësit e tyre.

Së dyti, mësuesit duhet të ndihmojnë dhe prindërit që të marrin disa njohuri për parandalimin e shfaqjeve të konflikteve të fëmijëve në familje me qëllim që ata të menjanojnë përdorimin e dhunës fizike e psikologjike për zgjidhjen e tyre.

Së treti, një rëndësi të veçantë ka puna sensibilizuese që bëhet në shkollë për të krijuar një opinion të shëndoshë për nevojën e parandalimit të shfaqjeve të konflikteve, që pengojnë mbarëvajtjen e punës mësimore edukative dhe të krijimit të marrëdhënieve të drejta në mes të gjithë aktorëve që veprojnë në shkollë.

Së katërti, në çdo klasë duhet të krijohet rrjeti i nxënësve ndërmjetës, që të jenë gjithnjë në gadishmëri për të vepruar shpejt në rastet e shfaqjeve të konflikteve dhe për të nxitur shokët që të vetëvlerësojnë drejt qëndrimin e tyre në favor të një zgjidhje të pranueshme dhe të qëndrueshme.

Së pesti, psikologu i shkollës ose ndonjë mësues, që është i ngarkuar me këtë punë, duhet të përpiqet për të zbuluar në kohë shenjat e konflikteve që mund të shfaqen, me qëllim që të paraveprojnë dhe t’i nxisin ata që të vetëvlerësojnë drejt situatën dhe nevojën për neutralizimin e tyre.

Së gjashti, duhet treguar kujdes i madh me grupet që janë pajtuar. Mësuesi ndërmjetës, ata duhet t’i mbajë afër dhe t’i nxisin që të vetëvlerësojnë situatën e re në favor të një perspektive të suksesshme të marrëdhënieve në mes tyre.

Së shtati, drejtuesit e shkollës kërkohet që të marrin të gjitha masat për të parandaluar konfliktet në mes të mësuesve me njëri-tjetrin, sepse kjo ndikon shumë keq tek nxënësit.

Së teti, është e domosdoshme që të aftësohen të gjithë nxënësit si vetëvlerësues të aftë të përvetësimit cilësor të vlerave, normave e kufizimeve shoqërore, që përbëjnë bazën për ndërtimin e marrëdhënieve të mira, larg konflikteve në mes tyre.

Së nënti, vetëvlerësimi i qëndrimeve dhe i veprimeve të nxënësve ndaj situatave konfliktuale, duhet të shikohet edhe në raport me kulturat e origjinës së tyre familjare, sepse në vetëvlerësimin e gjetjes së zgjidhjeve, mund të influencohen nga disa koncepte tradicionale, që, për zgjidhjen e problemit, preferojnë stile agresive.

Së dhjeti, shkolla duhet të bëjë një punë të veçantë me familjen që ajo të çlirohet nga konceptet tradicionale kanunore të trajtimit të konflikteve. Prindërit duhet të ndihmohen që t’i orientojnë fëmijët që t’i shohin këto probleme sipas interpretimeve bashkëkohore.

Së njëmbëdhjeti, duhet të bëhet një punë e organizuar për të parandaluar shkaqet e disa konflikteve të njohura në jetën e shkollës, si: shpërdorimi i pushtetit nga mësuesit, shkelja e interesave të nxënësve dhe indiferentizmi ndaj përmbushjes së nevojave të tyre të mundshme, mosrespektimi i të drejtave të fëmijëve, që mbrohen me ligj, pedantizmi në vlerësimin e dijeve, mosrespektimi i mendimeve të tyre, goditja publike për të metat etj.

Së fundi, në proçesin mësimor, duhet të forcojmë konfliktin intelektual, të shoqëruar me etiken didaktike, që lidhet me metodat aktive, që është provuar plotësisht se ndikon fuqishëm për mënjanimin e përplasjeve edhe në sferën e veprimtarive shoqërore.

PËRMBLEDHJE

Pas këtij diskutimi të gjatë, kemi formuar bindjen për mundësinë që kemi që të përdorim vetëvlerësimin për të parandaluar shfaqjen e konflikteve si dhe gjetjen e zgjidhjeve në raste kur ato mund të shpërthejnë.

Tani, të gjithë mundemi:

-T’i përgatisim më me lehtësi nxënësit si vetëvlerësues të aftë të qëndrimit të tyre ndaj zgjidhjes së konflikteve.

-Të luajmë rolin e një ndërmjetësi me kërkesa të forta psikologjike, që u hapin horizont nxënësve për të vetëvlerësuar drejt veprimet e tyre gjatë proçesit të zhvillimit të një konflikti.

-Të përdorim një komunikim më ndikues me shpirtrat e trazuar që ata të vetëvlerësojnë mundësitë e tyre për të gjetur rrugën e pajtimit.

-Të mbështetemi fort tek vetëvlerësimi i pastër i shkaqeve të konfliktit nga të dy palët si një bazë që ndikon për të realizuar një falje të ndërsjelltë, të qëndrueshme dhe të pranueshme nga të gjithë.

-Të pastrojmë mjedisin mësimor nga shkaqet që prodhojnë konflikte dhe të krijojmë një shkollë vizionare, që lufton për përvetësimin e dijeve dhe për një edukatë demokratike bashkëkohore, ku mbizotëron mirëkuptimi dhe shpirti i ndryshimit pozitiv.

-Të mbështetemi fort tek vetëvlerësimi i palëve në konflikt, që kanë parapëlqyer stilin e agresiv për zgjidhjen e problemeve, që është rasti më i vështirë.

-Tani kemi besim se me dije e durim mund të gjejmë zgjidhjen e çdo konflikti, sado i ndërlikuar të jetë ai.

Autori:Prof. As. Dr. Mark Vuji

Redaktor shkencor:Prof. As. Dr. Qazim Dushku

 Korrektues letrar:Marie Tirta (Vuji)

 Radhitja në kompiuter dhe art-desing: Ndue Dragusha

TIRANË, GEER, 2012

(Fund)

 

 

Leave a Reply

  

  

  

You can use these HTML tags

<a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>