StatPress

Visits today: 53

Më të fundit nga T Sh

Ardian Ndreca: Nji kontribut i ri për historinë kishtare të Durrësit

Ju pëlqejnë artikujt e publikuar tek Kosova tek AlbEmigrant? Regjistrohu tek KosovA tek AlbEmigrant me Email

Në vitin 2007 historiani i mirënjohun gjerman Peter Bartl botoi vëllimin e parë me dokumente kushtue vizitave baritore dhe jetës kishtare në Shqipni në periudhën 1629-1912, ku përmblidhte materiale që kishin të banin me dioqezën e  Lezhës. Ndërsa tashti sapo pa dritën e botimit vëllimi me materiale që i përket dioqezës ma pak të njohun të Durrësit (Albania Sacra. Geistliche Visitationsbericht aus Albanien. 2: Erzdiözese Durazzo. Herausgegeben und bearbeitet von Peter Bartl, Harrassowitz Verlag, Wiesbaden 2011. ISBN 9 783447 065023). Dokumentet e botueme në ketë përmbledhje, së cilës shtëpia botuese Harrassowitz i ka kushtue nji kujdes editorial të posaçëm, janë marrë prej Arkivit Historik të Propaganda Fide (Vatikan), dhe i përkasin serive: Scritture originali riferite nelle Congregazioni GeneraliScritture riferite nei CongressiVisite e Collegi etj. Bahet fjalë për tetëdhjetë dokumente që i përkasin harkut kohor 1603-1912.

Përmbledhjes i paraprin nji studim i thellë kontekstualizues i historianit P. Bartl (ff. 9-82), nji spjegues i shkurtë i termave e almiseve të liturgjisë (ff. 83-84), si edhe nji konkordancë e toponimeve (ff. 85-96), mbasi dihet se transkriptimi fonetik i misionarëve të huej si edhe vetë zhdukja e shumë toponimeve e bajnë sot të vështirë identifikimin e disa vendeve që dalin në dokumentet e sipërpërmenduna. Në fund, përmbledhja e përgatitun prej Bartl-it e ndihmon studjuesin tue i ofrue edhe nji regjistës të plotë me emnat e vendeve, personave dhe disa koncepteve themelore që gjejmë në këto dokumente (ff. 593-614).
Në studimin e tij Autori analizon gjanësisht gjendjen e dioqezës së Durrësit nën sundimin otoman, tue u ndalë në veçanti te historia politike e Durrësit dhe te historia e Arqipeshkvisë së Durrësit. Gjithashtu ai përpiqet me hetue shtrimjen dhe kufijtë e saj, për të kalue mandej te shqyrtimi i famullive, kishave dhe qelave. Historiani gjerman trajton gjendjen e klerit shekullar dhe atij rregulltar, shkollat, islamizimin dhe fenomenin e laramanëve (kriptokristianëve), tue përfundue me nji analizë të gjallë të popullsisë dhe qendrave të banueme, siç dalin prej relacioneve të vizitave baritore.
Mbas pushtimit turk, me vdekjen në mërgim të arqipeshkvit të fundit F. Quirini, në vitin 1505, Selia e Shenjtë u kufizue me e përdorë titullin e Durrësit si titull in partibus. Megjithatë, kah fundi i shek. XVI u emnuen rishtas disa ipeshkvij në dioqezat shufragane të Durrësit. Bartl na jep listën e plotë të arqipeshkvijve tue nisë prej françeskanit Mark Skura (1640-1656) e tue përfundue te Primo Bianchi (1893-1922), edhe ky pasues i Shën Françeskut. Simbas dokumenteve që sjell historiani gjerman, Arqipeshkvia e Durrësit gjatë sundimit turk ishte ma e madhja për kah shtrimja e territorit. Simbas imz. R. Ambrosio, në vitin 1854, Arqipeshkvia e Durrësit shtrihej në 117 milje gjatësi e 51 milje gjanësi. Në qoftë se arqipeshkvi me prejardhje napolitane, Ambrosio, kishte parasysh miljen napoletane, atëherë i bjen që Arqipeshkvia e Durrësit të ishte222 km e gjatë dhe97 km e gjanë. Qendrat që ajo mbarështonte shtriheshin prej Durrësit në Prevezë e Janinë, ndërsa në veri ajo kufizohej me dioqezën e Lezhës. Me marrjen e qytetit bregdetar të Durrësit prej otomanëve, kisha gotike e Shën Mërisë u kthye në xhami, ndërsa në vitin 1641 Durrësi kishte ende 14 famulli me rreth 2456 të krishtenë, numri i të cilëve do të ulej pa prâ prej dhjetëvjeçarit në dhjetëvjeçar.
Ndër dioqezat shufragane (ndihmëse) Bartl numron atë Albanense,BendenseLisiense e Canoviense. E para përkon me dioqezën e Krujës, e dyta asht në kufi me të dhe ka si qendër Mamëlin, megjithatë ajo nuk asht e lokalizueme krejt qartë, por duhet të jetë dikund në verilindje të Tiranës. Nuk asht e qartë as vendndodhja e dioqezës Lisiense, ekziston nji vend i quejtun Lis në zonën e Matit, çka ka ba shumëkend me e gjetë aty vendndodhjen e kësaj dioqeze shufragane. Ndërsa për dioqezën Canoviense, të dhanat thonë se ajo shtrihej prej Shkambit të Kavajës deri në Lushnjë, megjithëse dikur jurisdiksioni i saj mbërrinte deri në gjiun e Artës.
Asht me shumë interes me vërejt pasqyrën e banorëve të Arqipeshkvisë së Durrësit nëpër shekuj. Për shembull në vitin 1641 ajo numronte 23550 katolikë, për të arritë në vitin 1737 numrin e 7163 frymëve, ndërsa në agun e Pamvarsisë ajo numronte 14000 katolikë. Rritja që shihet tue nisë prej gjysmës së shekullit XIX i detyrohet shtimit të natyrshëm të popullsisë dhe ndoshta edhe lëvizjeve të mbrendshme.
Nji vend të veçantë zen në studimin e tij edhe gjendja e qelave dhe e ndërtesave të kishave. Persekutimi i sunduesve turq, vorfnija e popullatës, islamizimi në masë, sollën me vete edhe braktisjen apo lanjen mbas dore të shumë kishave të kësaj arqipeshkvije. Përposë termeqeve, rrënimit nga vetë koha, nji tjetër kob ishte edhe plaçkitja e dhunshme si nga ana e pushtuesve ashtu edhe nga ana e vetë shqiptarëve. Shpeshherë plaçkitja e kishave shoqnohej me vrasjen e misionarëve të huej apo të meshtarëve vendas. Në dokumentet që sjell P. Bartl del qartë ndihma e pakursyeme që Propaganda Fide i jep kësaj arqipeshkvije për mirëmbajtjen, meremetimin, dhe ndërhymjet urgjente në ndërtesat kishtare. Kjo ndihmë jepej krahas asaj që synonte me ndihmue vetë klerin, sidomos atë shekullar, për me jetue në kushtet tejet të vështira të vorfnisë së skajshme dhe të persekutimit. Shpeshherë ndërtesat e kishave i shërbenin ekspeditave ndërshkimore të pushtuesit për me shfry mënin ndaj malsorëve rebela që msheheshin ndër pyje e male sa herë që afrohej ushtria. Kjo gja bahej edhe për faktin se shumë shpesh meshtarët ishin shkak për mbajtjen gjallë të shpirtit të revoltës dhe të ndërgjegjes se pushtuesi duhej qitë jashtë me çdo mjet.
Nji pjesë e madhe e relacioneve baritore që botohen në ketë përmbledhje i përkasin gjendjes së klerit shekullar. Ndër to vehet oroe shumë shpesh vështirsia e këtij kleri për me përballue gjendjen e krijueme. Mangësive materiale, persekutimin dhe vorfnisë së skajshme, i shtohen padija e klerit, morali i diskutueshëm, mosbindja ndaj eprorëve, veset dhe mungesa e zellit apostolik. Sidomos prej shek. XVII e mbrapa Kisha merr masa për krijimin e shkollave dioqezane, të cilat kishin për detyrë me përgatit deri diku kandidatë të denjë për misionin ungjillëzues.
Krahas klerit shekullar, në Arqipeshkvinë e Durrësit vepronte edhe kleri rregulltar, ma saktë, misionarët françeskanë, observanta dhe të reformuem. Këta të fundit shërbenin në zonat ma të thyeme e ma të vështira. Për shkak të zgjanimit të pranisë së misionarëve françeskanë në dioqezat e Sapës, Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Propaganda Fide vendosi me krijue Misionin e Maqedonisë, i cili s’ishte gja tjetër veçse nji rrjet prej katër kuvendesh që mbulonte malsinat e Shqipnisë së Mesme, tue e pasë qendrën e vet në zonën e Matit. Prefekti i Misionit të Maqedonisë u emnue në vitin 1701 Át Francesco Maria da Lecce, autori i së parës gramatikë në gjuhën shqipe, e cila pa dritën e botimit në Romë në vitin 1716.
Çidhna, Lura, Macukulli e Bushkashi janë katër kuvendet e Misionit të Maqedonisë.
Prej analizave e dokumenteve të botueme në ketë përmbledhje kemi rasën me u njohtë me doket dhe zakonet e popullsisë shqiptare të trevës së Durrësit, me problemet e tyne sociale, me veset dhe me vetitë e mira. Gjithashtu relacionet baritore shërbejnë edhe për të krijue nji ide të zhvillimit ekonomik, demografik dhe të dokeve që karakterizonin këtë popullsi. Aty sqarohet edhe qëndrimi i tyne ndaj pushtuesit, gatishmënia me u çue në kryengritje kundër tij dhe në përgjithsi mospranimi i asnji autoriteti të jashtëm.
Studimi dhe aparati kritik i kujdesuem nga P. Bartl, si edhe vetë përzgjedhja e dokumenteve që botohen, janë nji kontribut me randësi dhe nji burim i dorës së parë për të gjithë ata studjues që duen me thellue njohjen e historisë kishtare e jo vetëm, të Shqipnisë tue nisë prej 1600-s e deri në fillimet e ‘900-s.
Gazeta MAPO, 22.02.2012

Leave a Reply

  

  

  

You can use these HTML tags

<a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>