StatPress

Vizita sot: 513
Lajme AlbEmigrant.com

______________________ _______________________

Magjia e mençurisë

Nga Daut Demaku (shkrimtar):
(Ibrahim Kelmendi: “Atentatet”, roman, botoi “Focus”, Prishtinë 2007)

Për autorin: Ibrahim Kelmendin e kam njohtë në kohën e ekzilimit tonë (gati) masiv. Dëgjoja për të se është një marksist-leninist i përbetuar, një enverist i betonuar, se jeton në ekstreme skajore: herë bën veprime të mrekullueshme njerëzore e herë-herë sillet me një naivitet të paparë.
Thuhej se është bashkëpunëtor i sigurimeve ndër më të ndryshmet, madje arrihej deri në atë pikë sa thuhej se as ai vetë nuk e di saktësisht për cilin sigurim shtetëror punon më me zell. Por rrallëherë kam dëgjuar të thuhet se ai njeri është shqiptar i vërtetë, e, ruana zot, të thuhet se ai është shqiptar me “Sh” të madhe. Mirë. Kjo që thuhej nuk ka asnjë lidhje me Ibrahim Kelmendin, por ka lidhje të thella me hipokrizinë dhe moralin e atyre që ndërtonin gjithfarë sajesash lidhur me këtë njeri.
Për mua, për këndin tim të vështrimit, ky veprimtar ka qenë njëlloj nxitjeje, një sfidim që të merrem pak më shumë më të, pikërisht për shkak të asaj që thuhej se është njeri kontravers, se jeton në ekstreme skajore. (Mezi kam pritë të ketë diçka të shkruar!) Pse? Sepse njerëzit që ecin rrugëve të shtruara, trotuareve të gjera, ata nuk janë krijues, janë njerëz të rëndomtë ose edhe mediokritete të zakonshme që dëmtojnë bukën. Të tjerët, ata të “krisurit”, ata kontraversët, ata që bëjnë rrugën e tyre origjinale (herë nën udhë e herë mbi udhë, por kurrë nëpër trasa të shtruara nga të tjerët), këta njerëz janë krijues dhe këta njerëz e njohin magjinë e çmendurisë. Dhe pikërisht për njerëzit e këtillë flitet shumë, sepse asnjëherë nuk ndodh që njerëzit të hedhin gur mbi pemën me degë të thata. Dhe, të rëndomtit, nga dëshira që të duken se janë më të devotshëm se ata, bëjnë sajime ndër më të ndryshmet, herë me porosi të pushtuesit e herë nga vogëlsia e tyre e mjerë, sepse xhelozia e njeriut lind nga krahasimet.

Njerëzit që merren vetëm me punët e veta, vetëm me përfitime materiale, që përpiqen të hanë çfarë hahet e çfarë nuk hahet, të gllabërojnë të gjitha plehrat e jetës materiale, jetojnë vetëm me trup, pa mendje e vetëdije. Ndërkaq, ata që kanë energji të madhe (Energjia është lëndë e parë e vetëdijes) nuk pajtohen me rëndomësinë, nuk pranojnë jetën brenda shablloneve statike, nuk e duan vetëm jetën e trupit, por kërkojnë një ushqim tjetër shpirtëror që quhet liri individuale dhe kolektive. Të frymëzuar nga dëshira shumë e thellë e secilës qenie njerëzore për liri, e harrojnë veten e tyre dhe njësohen me kombin, me vuajtjet, dhimbjet e përpëlitjet e tij.
Këta njerëz mund të takohen me pengesa e vonesa, por derën për hyrje në histori e kanë të hapur…
Fola për autorin vetëm nga këndi i zhurmës dhe jehona e zhurmës ankthbërëse që të tjerët e kanë bërë për të, por nuk e njoh personalisht dhe as që dua ta njoh për një psikanalizë më serioze. E njoh romanin “Atentatet” dhe për të do të flas.

Për romanin “Atentatet”

Në këtë roman janë disa vija apo më saktë: disa shtresa kuptimore që më shtyn t’i shkruaj këta rreshta.
E para: “Atentatet” është prozë e pastër dokumentare. Ky fakt i përmban disa cilësi. Latinët thonë: Edhe ngjyra më e zbehtë është më e qëndrueshme se memoria më e fortë në botë. Ngjarjet, në dukje të parë të thjeshta, të vogla, madje herë-herë edhe minore dhe naive, kur e plotësojnë njëra-tjetrën fitojnë funksionin e qartësisë së elementit kohë; bëhen drita buzë rruge që secilit lexues ia bëjnë të qartë nëpër çfarë tehu të shpatës ecte koha jonë, nëpër çfarë maje thike gjendej malli më i lirë në botë: Jeta e shqiptarit. Kjo është ajo periudha e fillimit të vetëdijesimit, koha e lëvizjeve të vogla, që kur radhiten njëra pas tjetrës, si hallkat e zinxhirit, e ndërtojnë tërësinë e dhimbjes që, në mënyrë shumë subtile depërton në thellësitë e zemrës së secilit lexues. Dhe këtë depërtim, në shtresat më të ndjeshme të lexuesit, nuk e mundëson as nuk e ndërton mjeshtëria e shkrimit, as prirja e fuqia krijuese, por këtë e bën sinqeriteti i autorit. Ky sinqeritet, që në të njëjtën kohë është veçantia dhe kushti i parë i prozës dokumentare, do të ndikojë që ky roman të këtë numër të jashtëzakonshëm të lexuesve.
E dyta: shtresa kuptimore, do të thosha, pjesa më e suksesshme e realizuar në këtë roman dokumentar është dimensioni politik. Nuk dua të hyj në burimet, motivet, shkaqet që e mundësuan këtë pjekuri të veprimit politik, për arsye se këtu do të ketë pas dorë mësuesja e madhe që quhet jetë, por dua të them se të gjithë lexuesit do të mësojnë shumë për makinerinë e robërisë dhe për rrugët e reja që i ndërton, i zbulon dhe i trason zëri i lirisë. Në këtë pikë do të ndalesha vetëm për një çast që të them se: të gjithë njerëzit e paorganizuar janë vetëm zero, le të jenë edhe një miliard ata janë vetëm zero ose më saktë: vija rrethore pa asnjë vlerë. E kur këtyre zerove pa vlerë iu del një numër përpara, të gjitha zerot fitojnë vlerë, por fiton vlerë edhe numri, sepse dje ishte njësh, kur del para një zeroje bëhet dhjetë, njëqind, një milion e kështu me radhë. Kjo është magjia e mençurisë së njeriut që merret me çfarëdo organizimi të lëvizjeve njerëzore.
Të gjitha shtetet e dinë, hegjemonistët sidomos, se kur nis e paraqitet diku një xixë, një shkëndijë e dashurisë për liri, ajo xixë mund të shndërrohet në flakë, në zjarr. Dhe, sa është zjarri i vogël mund të mbahet nën kontroll dhe të shuhet, por kur zjarri merr hov, atëherë shndërrohet në fuqi që shndërron në pluhur e hi të gjitha pengesat që i dalin përpara. Këtu qëndron fuqia e dashurisë për liri që varet, fillim e mbarim, nga ajo fjala e thjeshtë, herë-herë aq e thjeshtë e aq prozaike që quhet organizim.
Shteti sllav e ka pasur të qartë, si dritën e diellit, se kopeja e bagëtisë që synon të ngopë plancin me ushqime, është vetëm një kope e parrezikshme që mund të përdoret në çdo kohë për kasaphane. Por, po ndodhi të duket diku në horizont ndonjë xixë e vetëdijesimit, kur paraqitet nevoja, këta ishin ata shërbëtorët që hanin kokat e vëllezërve të vet “të rrezikshëm për shtetin sllav”, duke punuar kështu jo vetëm për robërinë e tyre personale, por edhe për terrin, robërinë dhe mjerimin e fëmijëve të vet.
Dimensioni politik i romanit “Atentatet” është aq i thellë dhe aq domethënës sa iu mbetet studiuesve të rinj që ta zbërthejnë në qetësi, sepse brumi është aq i vërtetë, aq konkret dhe aq i bollshëm sa mjafton për gatime të të gjitha veprave politike, juridike, kriminalistike, psikologjike…
E treta: Dimensionin e flijimit e kam për zemër dhe kisha dashtë të ndalem pak më gjatë.
Kur kam shkruar për tre mësuesit më të mëdhenj të kombit, Gjergj Kastriotin, Nënën Terezën dhe Adem Jasharin kam thënë kështu: në qoftë se i kërkoni këta njerëz nëpër jetë, sipas ligjeve racionale të mendjes njerëzore – nuk do t’i gjeni kurrë. Sepse, sipas ligjeve racionale të mendjes, që është dimensioni më i thjeshtë i jetës njerëzore (thënë më brutalisht: pak mbi nivelin e hajvanit), atëherë jeta e këtyre njerëzve do të dukej kështu:
Gjergj Kastrioti ka pasur pozitë të lartë në hierarkinë ushtarake të perandorisë otomane, jetë të qetë dhe shumë të begatshme, ka mundur të hajë e të pijë (këtë po e nënvizoj më qëllim që ta kenë të qartë ata që jetojnë për të gllabëruar) çfarë t’ia dojë qejfi, të krijojë familje, t’i rrisë e t’i shkollojë fëmijët, shkurt të jetojë mirë. Nuk e deshi këtë jetë, u përcaktua për sakrificë.
Nënë Tereza ka qenë vajza e Kolë Bojaxhiut, tregtar i njohur në Shkup, si vajzë Gonxheja ka mundur të martohet, të lindë fëmijë, të krijojë një tregtizë të vogël, e ka njohur zejen mirë si vajzë e tregtarit dhe të jetojë e qetë si miliona e miliona femra të tjera. Nuk e deshi këtë jetë, u përcaktua për sakrificë.
Adem Jashari ka mundur të kërkojë azil politik në cilindo shtet evropian dhe do t’i fitonte letrat, me krejt familjen, për dy javë ditë, sikur unë e ti e miliona të tjerë. Nuk deshi ta pranojë atë jetë, por u përcaktua për sakrificë.
Pse vepruan kështu këta tre mësues të mëdhenj të kombit?
Sepse po të pranonin jetën sipas ligjeve racionale të mendjes, që po e përsëris: është dimensioni më i thjeshtë i jetës njerëzore, do të vdisnin një ditë dhe do t’i gëlltiste terri i harrimit për jetë e mot.
Ndërkaq, kur u përcaktuan për dimensionin e dashurisë, që është dimension shumë i lartë i jetës njerëzore, ata në fakt u përcaktuan që të jenë përfundimisht të pavdekshëm deri në amshim. Në dimensionin e dashurisë nuk ka vdekje e harrim, nuk ka zhdukje, hi e plehurina, por vetëm rilindje në çdo përvjetor.
Tash më shumë se pesë shekuj nuk u harrua Gjergj Kastrioti e nuk do të harrohet edhe pesëqind shekuj të tjerë, kështu do të ndodhë me Nënën Terezën, e po kështu do të ndodhë edhe me legjendarin Adem Jasharin. Por kështu do të ndodhë edhe me të gjithë dëshmorët e kombit.
(Eh, lexues, këtu po e bëjmë një pushim. Mendo pak në këtë drejtim: brenda këtyre pesë shekujve të rilindjeve të Gjergj Kastriotit, sa shqiptarë kanë jetuar, sa profiterë janë përpjekur të gëlltisin çfarë hahet e çfarë nuk hahet, sa… e ku janë? Ku i kanë emrat, ku i kanë varret, kush e di se kanë qenë në këtë botë, se kanë jetuar ndonjëherë?)
Romani “Atentatet” është shembull i pastër ku lexuesi e sheh me sy rilindjen e heronjve të kombit. Ata në këtë roman dalin me urtësinë, mençurinë, pjekurinë e maturinë e jashtëzakonshme të njerëzve që njëmend nuk do të vdesin kurrë. Jusuf Gërvallen e kam njohtë edhe në Prishtinë edhe në Shkup. Duke lexuar romanin e kam parë Jusufin të gjallë, por jo vetëm të gjallë, por më të bukur se kurrë ndonjëherë, më të mençur në mesin e më të mençurve, më të urtë në mesin e urtarëve, më të dashur të kombit.
Duke lexuar këtë roman disa herë jam ndal, kam marr frymë thellë dhe kam thënë: Jusuf Gërvalla me shokë, më lejoni t’ju shpreh urimet e mia të sinqerta për ditëlindjen tuaj të vërtetë. Tash e tutje do të jetoni mu në zemrat e atyre që i keni dashtë aq shumë. Por jo vetëm për sot, por përgjithmonë. Kërkoj falje pse ky shkrim ia vuri vetes pikën dhe nuk mund të shkruaj më shumë.

(Publikuar në gazetën ditore “Epoka e re”, Prishtinë, 14.08.2007)

Ndaje me miqtë/Ruaje

You must be logged in to post a comment.