StatPress

Vizita sot: 404
Lajme AlbEmigrant.com

______________________ _______________________

Dr. Prof.Ismet Elezi mbi të Drejtën Zakonore Shqiptare (pjesa e parë)

Dr.Prof Ismet EleziJetshkrimi dhe aktiviteti shkencor

Juristi Dr. Prof. Ismet Elezi lindi ne vitin 1920 ne Fterrë 10 km larg Borshit dhe bregdetit Jon. Filloi shkollen ne Piqeras, mori liceun ne Tirane ne vitin 1942, filloi ne vitin 1943 studimet ne Firence, por per shkak lufte i nderpreu. Ne vitet 1946-1951 vazhdoi studimet universitare ne Leningrad (Peterburg) dhe po aty nga viti 1957 deri ne vitin 1960  mbaroi studimet pasuniversitare dhe ne vitin 1961 mori graden shkencore. Ne vitin 1972 mori titullin “Profesor”. Ka qene Sekretar Shkencor i lnstitutit të Shkencave, Sekretar Shkencor i Universitetit, Kryetar i Byrosë Juridike në Këshillin e Ministrave (1966-1985). Për rreth 50 vjet punon si pedagog dhe ka drejtuar katedrën penale në Fakultetin e Drejtësisë (1957-1990). Vepra shkencore: “E drejta zakonore penale e shqiptarëve” ka marrë çmimin e Republikës. Vepër me vlerë të vaçantë është dhe “E drejta zakonore e Labërisë”. Është autor i disa teksteve të së drejtës penale (Pjesa e Posaçme) si dhe bashkautor i teksteve të tjerë. Ka marrë pjesë në konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Në vitin 1998 Qendra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh (Angli) e ka shpallur “Njeriu Ndërkombëtar” në shkencë.

Për lëndën e drejtësisë ka hartuar disa tekste, ka ndërtuar mbi 15 monografi dhe ka shkruar mbi 80 artikuj e referate shkencore brenda dhe jashtë Shqipërisë. E shquar është vepra: “E Drejta zakonore e Labërisë në planin krahësues”. Tani Profesor Ismet Elezi është në proces të veprës më të plotë: “E drejta zakonore Shqiptare”. Për 10 vjet pandërprerë ka hartuar veprën “Mendimi Juridik Shqiptar” me rreth 500 faqe, e cila është një paraqitje që  hap rrugën për enciklopedinë juridike shqiptare, por që pret dritën e botimit. Ka kontrubuar ne perpilimin e Kodit Penal te vitit 1995.

Studimet e tij jane vlersuar nga rrethet shkencore në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup etj. Ka patur lidhje shkencore me Institutin Etnografik në Moskë, me Universitetin Graz në Austri, me Institutin e Studimeve për Europën Juglindore me qendër në Londër, me shkencëtarë në Çikago e Filadelfia të SHBA, në Bari të Italisë etj. Edhe sot ne moshen gati 90 vjeçare ai vazhdon studimet e tij ne fushen juridike. (Materjal i marur nga siti http://fteriotet.tripod.com/id12.html).

Mendimi Juridik Shqiptar-1Kuptimi i së drejtës zakonore shqiptare, burimet dhe parimet e saj

Profesor Ismet Elezi ka ba nji pune te palodhshme per plot dhjet vjete te gjata per te pregatite librin e tij studimor prej 326 faqesh me titull “Mendimi Juridik Shqiptare” te publikuem ne Tirane ne vitin 1999.

Ne fillim te kapitullit “Mendimi juridik për të drejtën shqiptare” (faqe 89-111) profesor Ismet Elezi thote se “E drejta zakonore kuptohet si tërësi e normave (rregullave të sjelljes), te pashkruara, të përcjella në traditën gojore nga një brez në tjetrin e që kanë sherbyer për rregullimin e marrëdhënjeve juridike sipas traditës, nga opinioni dhe autoriteti patriarkal i kuvendeve”.

Prà kanunet e krahinave te ndryshme apo permbledhja e zakoneve te krahinave te ndryshme shqiptare, nuk kan qene te shkrueme asnjihere ma perpara. Ato jane ruejte dhe transmetue brez mbas brezit simbas tradites, nga opinioni i shoqnise dhe autoriteti i kuvendeve te fisit. I pari kanun shqiptar si tansì normash qe iu paraqit publikut shqiptar, studjuesve shqiptar si dhe studjuesve te huej neper bote ka qene publikimi ne formen e nji libri ne vitin 1933 nga fretnit françeskan ne Shkoder “KANUNI I LEKE DUKAGJINIT” , qe asht mbledhe me mund, me durim dhe me perkushtim te madh ne forme doreshkrimi nga patrioti françeskan At Shtjefen Gjeçovi (kosovari martir i vrame pabesisht nga serbet ne vitin 1929 ne moshen 46 vjeçare) tue pershkue ne kambë malet e asaje zone te gjane te veriut andej e kndej kufinit te sotem, shtepi ne shtepi dhe tue fole gju me gju me malsort. Po te mos i kishte mbledhe keto zakone ne ate kohe Shtjefen Gjeçovi, atehere do te kishte humbe nji trashigimì e madhe e parikuperueshme mijevjeçare e tradites se popullit shqiptar.

At Shtjefen Gjeçov-1Ne fotografi At Shtjefen Gjeçovi (1873 – 1929)

Ne kete trashigimì te transmetueme gojarisht brez mbas brezi futen zakonet e mira shqiptare, per te cilat kane te drejte te mburren shqiptart. Ne kete trashigimì futen edhe zakonet shqiptare te trashigueme edhe keto gojarisht brez mbas brezi, por qe sot jane te damshme, sepse nuk perputhen me ligjet e kohve te reja, te cilat edhe ato vete ndryshojne gjate koheve te ndryshme.

Studimi i ketyne zakoneve te damshme, qe nuk perputhen me te drejten ligjore te kohve te sotme, ban te mundshem hetimin qyshe ne rraje te motiveve te shume krimeve si dhe gjetjen e rrugve te evitimit te tyne jo vetem me rrugen gjyqesore, por edhe ne formen opinionit shoqnor dhe punes per pajtimin e palve ne konflikt. Asht krejte njisoj siç vepron mjeku, qe fillimisht diagnostikon smundjen dhe mandej gjene mjetet e sherimit te saje. Pa studimin e ketyne motiveve, te cilat kan rraje ne zakonet e trashigueme te shqiptarve, nuk mund te arrihet shmangia e tyne, qofte per arsye se keto zakone mbahen nga opinioni shoqnor, qofte edhe per shkak te mosfunksionimit te ligjit te shtetit te sotem te korruptuem shqiptar, i cili duhet te kishte sigurue zbatimin e ligjve te reja.

Ma poshte profesor Elezi shkruen: “ E drejta zakonore shqiptare përmban norma të rendit patriarkal fisnor (nga Iliria), patriarkal-feudal (të mesjetës)…. si dhe norma të reja, ne përshtatje me zhvillimin e marrëdhënjeve ekonomiko-shoqërore në shekullin XIX e në filliet e shekullit XX). E drejta zakonore shqiptare, e trashëguar që nga ilirët dhe gjatë gjithë historisë së zhvillimit të shoqërisë shqiptare veçanërisht gjatë mesjetës kur Shqipëria ishte nën pushtimin osman (shek XV deri në fillim të shek XX) nuk ka qenë statike, por është ndryshuar duke lënë në harresë norma të vjetra dhe duke e pasuruar me norma të reja, po nuk u asimilua nga ligjet e pushtuesve të huaj” .

Nga kjo nxirren disa konkluzione: Keto zakone apo ligje te pashkrueme kan pase karakter fisnor dhe te dyfishte, te detyrueshme qofte per krenat e fisit, qofte edhe per antart e thjeshte te fisit. Te dyja palet i kan zbatue keto zakone dhe i kan tranzmetue ato gojarisht brez mbas brezi.

Zakonet e shqiptarve e kane zanafillen e tyne qyshe ne kohet e lashta te ilirve, si nji nder popujt ma te vjeter te Europes dhe se gjate shekujve ato nuk kan mbete te pandryshueshme. Ato kan ndryshue ne perputhje me rrethanat e reja tue fute elementet e rij kohe mbas kohe. Ato kane mbajte gjithmone karakterin e tyne specifik te paster shqiptar te padeformuem nga dhuna e pushtuesve te huej. Me gjithe pushtimin e eger pese shekullor aziatik turk-osman populli shqiptar i te gjitha trevave shqiptare, pa dallim besimi, nuk e asimiloi dhe as nuk e zbatoi sheriatin arab, por u administrue me zakonet e veta autentike shqiptare.

(Vazhdon me pjesen e dytë)

Paul Tedeschini, 04.03.2010

Ndaje me miqtë/Ruaje

You must be logged in to post a comment.